Fiter Bajrami, Veliaj: Parkingu nëntokësor falas për besimtarët myslimanë nga ora 5-7 në mëngjes
Me rastin e Fiter Bajramit, sheshi “Skënderbej” do të shërbejë si një hapësirë dinjitoze për besimtarët myslimanë të cilët nesër do të kenë mundësinë të falen aty. Bashkia e Tiranës njofton se parkingu nëntokësor do të jetë falas për besimtarët myslimanë nga ora 5 deri në 7 të mëngjesit.
Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se pas afro një dekade, besimtarët myslimanë do të kenë mundësi që të falen në kushte dinjitoze, ndërsa shtoi se tashmë sheshi “Skënderbej” është kthyer në një hapësirë në shërbim të qytetarëve.
“I largohemi situatës ku besimtarët faleshin në rrugë. Nuk ishte dinjitoze për qytetin, i cili nuk ofronte dot një hapësirë publike. Besoj se me miratimin e kësaj kërkese, bashkia ka marrë një vendim të drejtë sepse sheshi është për njerëzit, ndaj siç përdoret për koncerte, për evente, për aktivitete, ashtu duhet të përdoret nga të gjithë besimtarët”, u shpreh Veliaj.
Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.
“I kemi marrë të gjitha masat për nevojat logjistike. Parkingu nëntokësor do të jetë falas për besimtarët nga ora 5 deri në 7 të mëngjesit. Nëse parkingu i sheshit do të jetë plot, atëherë do të hapim edhe parkingun te Bulevardi i Ri, çka besoj se është mjaftueshëm për të gjithë besimtarët që vijnë nga jashtë unazës”, tha ai.
Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra vlerësoi Bashkinë e Tiranës për investimin dhe kontributin, ndërsa theksoi se tashmë besimtarët myslimanë do të kenë mundësi që të falen në sheshin “Skënderbej”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.