Fitimet “fshijnë” krizën – Sistemi bankar po rekuperon humbjet e mbartura
Rritja e fitimeve në vitet e fundit e ka ulur ndjeshëm peshën e humbjeve të mbartura në strukturën e kapitalit aksioner të bankave. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2015 humbjet e mbartura përbënin afro 21% të kapitalit aksioner të bankave. Në mesin e këtij viti, pesha e tyre ndaj kapitalit aksioner ka zbritur në më pak se 4%. Shifrat tregojnë se rritja e performancës financiare në dy vitet e fundit po e amortizon efektin e periudhës së krizës në bilancet e bankave.
Për shkak të rritjes së kredive me probleme, një pjesë e bankave të sistemit u përballën me humbje të konsiderueshme. Por, stabilizimi i cilësisë së portofolit të kredisë në vitet e fundit ka ndihmuar në shëndoshjen e bilanceve dhe një rekuperim të humbjeve të viteve të mëparshme. Vitin e kaluar, fitimet e sistemit bankar prekën vlerën rekord të 22 miliardë lekëve, ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti rezultati ishte sërish i lartë, me 11 miliardë lekë fitime.
Ulja e shpenzimeve për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë e këqija ka qenë një faktor përcaktues në rezultatet e dy viteve të fundit. Raporti i kredive me probleme është stabilizuar pranë nivelit 13%, ndërsa shpenzimet e reja për provigjione në bilance kanë rënë në mënyrë drastike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.