Fitimi i bankave i përqendruar në pak “duar”

Statistikat që publikoi Banka e Shqipërisë në fund të muajit shkurt treguan se fitimet e sistemit bankar për vitin 2016 pësuan një rënie të ndjeshme. Mbështetur në standardet e raportimit financiar për efekt të mbikëqyrjes bankare, vitin e kaluar, sistemi bankar e mbylli me një fitim prej 9.3 miliardë lekësh, 41% më pak krahasuar me vitin 2015.
Megjithatë, të dhënat e publikuara këtë javë nga Shoqata e Bankave, që mbështeten në raportimet individuale të bankave, sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, tregojnë se fitimet janë edhe më të ulëta. Sipas të dhënave të paaudituara, për vitin 2016 rezultati i përbashkët i 16 bankave të sistemit ishte pozitiv në vlerën e më pak se 1.3 miliardë lekëve, në rënie me 73% krahasuar me vitin 2015.
Nga 16 banka të sistemit, 10 prej tyre e mbyllën vitin e kaluar me fitim, megjithatë, në vlerë absolute, fitimet jashtë mjaft të përqendruara te banka më e madhe në vend, BKT dhe, pjesërisht, te banka e katërt më e madhe Intesa Sanpaolo.
BKT e mbylli vitin 2016 me një fitim prej 7.5 miliardë lekësh, ndërsa Intesa Sanpaolo deklaroi një fitim prej 2.3 miliardë lekësh. Fitimet e mëdha të BKT-së i detyrohen sidomos zgjerimit të madh në tregun e titujve qeveritarë. Falë gjendjes së madhe të depozitave, BKT ka rritur fitimet, sidomos përmes investimeve me rrezik të ulët, por që garantojnë një bazë të madhe të ardhurash.
Në fund të vitit 2016, BKT zotëronte 150 miliardë lekë investime në tituj borxhi. I ngjashëm është shpjegimi edhe për fitimet e Intesa Sanpaolo, që në vitet e fundit është treguar mjaft konservatore në kreditim, por mban një portofol të madh të investimeve në tituj.
Banka e tjera raportuan fitime në vlera shumë më të ulëta. Rezultat pozitiv raportuan Credins, Societe Generale, Banka Amerikane e Investimeve, Fibank dhe Union Bank. Ndërkohë, për disa banka të tjera, viti 2016 konfirmoi sfidat në menaxhimin e problemeve të bartura nga vitet e krizës.
Raiffeisen Bank e mbylli vitin me një humbje të thellë në vlerën e 4.5 miliardë lekëve, sidomos për shkak të kredive të këqija në segmentin e koorporatave. Humbje të mëdha pësuan edhe Veneto Banka, me 3.7 miliardë lekë dhe Alpha Bank me 1.4 miliardë lekë, ndërsa Tirana Bank mbylli sërish një vit me humbje, në vlerën e 520 milionë lekëve.
Rënia e fitimeve të sistemit bankar për vitin 2016 dëshmoi se kreditë me probleme ngelen ende një problem me impakt serioz në përfitueshmërinë e sistemit bankar, ndërkohë që një tjetër faktor sfidues ishte ulja e normave të interesit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.