Fitimi i sistemit bankar/ 8 miliardë lekë për pesëmujorin e vitit 2019

Sistemi bankar shqiptar e mbylli pesëmujorin e parë të vitit me një fitim prej 8 miliardë lekësh. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit u rrit me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kthimi nga kapitali në nivel sektori arriti në 13.3%, afërsisht një pikë përqindje më shumë krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar.
Performanca financiare e sistemit bankar në vitet e fundit paraqitet e qëndrueshme dhe një ndikim përcaktues ka dhënë ulja e raportit të kredive me probleme.
Në fund të muajit maj, ky raport ishte rreth 11.4%, rreth dy pikë përqindje më poshtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e këtij treguesi ka stabilizuar shpenzimet për provigjione, me ndikim pozitiv në rezultatin financiar të bankave.
Madje, rezultatet e tremujorit të parë të vitit, të publikuara nga Shoqata e Bankave, treguan se fitimet këtë vit ishin të shpërndara në shumicën e bankave. 12 prej tyre e mbyllën tremujorin e parë me fitim dhe vetëm një me humbje.
Edhe kapitalizimi i sistemit bankar ngelet në nivele të larta. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të tremujorit të të parë të vitit ishte pothuajse 18%, nga 12% që është pragu minimal i kërkuar nga Banka e Shqipërisë.
Pas një procesi disavjeçar ristrukturimi dhe përqendrimi, sistemi bankar është më solid dhe më i shëndetshëm, duke krijuar parakushte për një ofertë më lartë të kredisë për ekonominë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.