Fitimi i sistemit bankar arrin në 16.9 mld lekë për 9-mujorin
Ulja e kredive me probleme ka rritur në nivele rekord fitimet e sistemit bankar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 9-mujorin fitimi neto bankave të sistemit arriti në 16.9 miliardë lekë.
Ky rezultat është dy herë e gjysëm më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e lartë e fitimeve të sistemit i detyrohet kryesisht uljes së ndjeshme të kredive me probleme.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ka zbritur në 14.8%, niveli më i ulët që nga fillimi i vitit 2011. Rënia e kredive me probleme ilustrohet nga një ulje drastike e shpenzimeve për provigjione.
Statistikat tregojnë se për 9-mujorin, sistemi bankar ka shpenzuar vetëm 1.6 miliardë lekë për fondin rezervë të kredive me probleme, ndërkohë që një vit më parë ky shpenzim kishte qenë 13.6 miliardë lekë.
Të ardhurat nga interesat dhe ato nga veprimtaritë e tjera kanë pësuar një rënie të lehtë gjatë 9-mujorit, ndërsa shpenzimet e tjera të bankave kanë qenë në nivele të përfaërta me një vit më parë.
Pikërisht rënia e provigjioneve ka bërë pothuajse gjithë diferencën në rritjen e fitimeve të sistemit bankar. Rritja e fitimeve e bën sistemin bankar më të shëndetshëm dhe me shumë të ngjarë do të ketë një efekt pozitiv në çlirimin e kreditimit.
Megjithatë, duhet nënvizuar se fitimet e larta ngelen të përqendruara në pak banka të mëdha, ndërsa shumica e bankave kanë përfitueshmëri ende modeste.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.