Fiton Shinzo Abe – Ruan 2/3 e vendeve në parlament, bursat prekin nivele rekord
Zgjedhjet në Japoni kanë patur vëmendjen e plotë të investitorëve ditën e Hënë, me fitoren e Shinzo Abe që rriti titujt e kapitalit në vend, në nivelin më të lartë në 21 vite dhe i dha një nxitje bursave në botë.
Koalicioni i drejtuar nga Partia Liberal Demokrate e Shinzo Abe fitoi “super mazhorancën” me 2/3 e vendeve në parlament, duke krijuar mundësinë që ai të kthehet në liderin me periudhën më të gjatë në detyrë për vendin.
Investitorët argumentuan se fitorja e Shinzo Abe do të lejojë Bankën e Japonisë që të vazhdojë me stimujt monetar, që kanë ulur interesat e titujve të Qeverisë si dhe valutën japoneze. Analistët thonë se fitorja nënkupton një zgjatje të politikave ekonomike të quajtura “Abenomics”, që përfshin stimuj monetar e fiskal dhe reforma strukturore.
Indeksi i titujve të kapitalit në vend u rrit me 1% në nivelin më të lartë që prej vitit 1996, ndërsa jeni ra kundër shportës kryesore të valutave. Kundër dollarit, valuta japoneze arriti në 114.05, që është niveli më i ulët që prej mesit të muajit Korrik, niveli ku qëndroi fare pak ndërsa u rrit në 113.8 më vonë gjatë sesionit tregtar.
Shinzo Abe sinjalizoi gjithashtu një nxitje të objektivit të tij të rishikimit të kushtetutës pacifiste në vend. Partitë në favor të amendimit të kushtetutës të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, fituan rreth 80% të vendeve në parlament.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.