Fitorja e Orban mund ta bëjë Hungarinë një humbëse në Europë – BE kërcënon të lidhë paratë me respektimin e sundimit të ligjit!

Brukseli ka nisur një proces në Hungari që kërcënon të lidhë pagesën e parave të BE-së me respektimin e sundimit të ligjit. Kjo vjen dy ditë pasi Viktor Orban siguroi mandatin e pestë dhe të katërt radhazi si kryeministër i Hungarisë.
Orban është përplasur shpesh me Komisionin Europian për respektimin e vlerave kyçe të BE-së, si të drejtat LGBT, sundimi i ligjit dhe sulmet ndaj mediave të pavarura. Tani, Komisioni Europian ka njoftuar Budapestin se po aktivizon të ashtuquajturin “mekanizëm të kushtëzimit” mbi shkeljet e sundimit të ligjit, duke hapur derën për sanksionet financiare.
Më herët në fjalimin e saj, Von der Leyen kishte thënë se KE i kërkoi Budapestit të zbatojë reforma për të luftuar korrupsionin. Megjithatë, ajo vuri në dukje se të dy palët “nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët”.
Ajo shtoi se Komisioni ka ndjekur procedurën e përcaktuar nga traktatet duke adresuar një letër njoftimi zyrtar dhe duke e referuar më vonë rastin në Gjykatën Europiane të Drejtësisë dhe se me marrjen e përgjigjeve të Hungarisë, ata kanë nxjerrë “përfundimin që duhet të kalojmë në hapi tjetër”.
Eurodeputetët në Strasburg, të cilët prej kohësh kanë kërkuar që ekzekutivi i BE-së të vazhdojë me mekanizmin e ri, brohoritën njoftimin me një duartrokitje. Por eurodeputeti gjerman i Gjelbër, Rasmus Andresen, tha se mekanizmi i sundimit të ligjit duhet të ishte aktivizuar më shpejt.
Eurodeputetët miratuan për herë të parë rregulloren e mekanizmit të sundimit të ligjit në dhjetor 2020, e ndjekur nga pazare intensive në nivelin e atëhershëm të Këshillit Europian, me Hungarinë dhe Poloninë që të dyja kërkuan zbutjen e tij dhe kërcënuan me veton ndaj buxhetit të bllokut mbi të.
Më pas, të dy vendet ia referuan mekanizmin GJED-së, e cila vendosi në shkurt se institucionet e BE-së mund të lidhin fondet me shtetet anëtare me respektimin e shtetit të së drejtës. Të dielën, partia Fidesz e Orban siguroi 53% të votave dhe dy të tretat e “supershumicës” në parlament. Orban, i cili e ka ndërtuar karrierën e tij në përplasjen me BE-në, e kishte përshkruar fitoren e tij të dielën në mbrëmje si “aq të madhe sa mund ta shihni nga hëna dhe sigurisht që mund ta shihni nga Brukseli”. EN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.