Fitorja e parë e Trump – Kongresi rrëzon Obamacare, por vendos Senati

Dhoma e ulët e parlamentit amerikan votoi të Enjten një paketë të re ligjesh, që do të zëvendësojë Obamacare, duke i dhënë më në fund presidentit amerikan fitoren e parë në raport me legjislativin, pavarësisht se ky i fundit kontrollohet nga republikanët.
Por gjithsesi, Trump ka fituar vetëm një betejë, dhe jo luftën. Paketa e re, që do të zëvendësojë reformën shëndetësore të Barack Obamës, do të duhet të marrë edhe aprovimin e senatit amerikan, që është edhe misioni më i vështirë.
Projektohet që lufta në senat të jetë mjaft e ashpër.
Anulimi i Obamacare, është një ndër premtimet kryesore të Donald Trump gjatë fushatës elektorale. Presidenti amerikan e ka cilësuar Obamacare si një tragjedi.
Pavarësisht se, republikanët prej 7 vitesh tashmë e kundërshtojnë reformën e Obamës në sistemin shëndetësor, një pjesë e madhe prej tyre janë të mendimit se zhbërja e një reforme të tillë do të ketë pasoja mjaft të mëdha. Rreth 20 milionë persona do të humbisnin sigurimin shëndetësor si rrjedhojë.
Fitorja e Trump në dhomën e përfaqësuesve ishte mjaft e ngushtë, 217 kundër 213, çka tregon se në senat gjasat për ta kaluar janë mjaft të pakta.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.