Fjalimi i Macron për Europën – Jep vizion ambicioz për reformimin pas zgjedhjeve në Gjermani

Presidenti francez, Emmanuel Macron dha një vizion ambicioz për integrimin europian, duke bërë thirrje për vendet anëtare që të punojnë më shumë në mbrojtje dhe emigracion, dhe për Eurozonën që të ketë buxhetin e vetë.
Duke folur në Sorbonë, ai tha se Europa duhet të riorganizohet, duke shtuar se ka nevojë për bashkëpunim më të fortë në çështje si emigracioni, mbrojtja e kufijve, taksa korporative, ndarja e inteligjencës, mbrojtja dhe stabiliteti financiar.
“E vetmja rrugë që siguron të ardhmen tonë është rindërtimi i një europe që ka sovranitet, është e bashkuar dhe demokrate”, tha ish bankieri i investimeve.
“Në fillim të dekadës që vjen, Europa duhet të ketë një forcë të përbashkët të ndërhyrjes, një buxhet të përbashkët mbi mbrojtjen dhe një doktrinë të përbashkët për veprim”, tha ai.
Në fushatën e tij për president, Macron i dha prioritet reformimit të Europës dhe ai së bashku me Merkel kanë biseduar disa herë për Francën dhe Gjermaninë, dy ekonomitë më të mëdha të unionit, që të marrin drejtimin e integrimit.
Megjithatë, 5 muaj kanë kaluar në mandatin e tij 5-vjeçar dhe Macron përballet me rrezikun se Merkel mund të ketë më pak kapacitet se më parë. Aleanca e saj zë ende bllokun më të madh në Bundestag, megjithatë, për të ndërtuar një mazhorancë ajo do të duhet të formojë një koalicion me të gjelbrit dhe partinë liberal-demokrate, që kundërshtojnë shumë prej ideve të tij.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, dha pëlqimin e tij për fjalimin e Macron, duke shtuar se mund të mbështetet te Gjermania.
“Një buxhet i përbashkët kërkon lidership të fortë politik, të kryesuar nga një ministër i përbashkët i financave dhe një mbikëqyrje të fortë parlamentare në nivel europian”, tha Macron. Presidenti caktoi një objektiv që të dy vendet të integrojnë plotësisht tregjet e tyre dhe rregullat për korporatat deri në vitin 2024.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.