Fjalimi i parë pas zgjedhjes si President, Meta: Të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit (Fjala e plotë)
Edhe pse ishte paralajmëruar më herët zgjedhja e tij si President në kushtet e votave të nevojshme që mazhoranca kishte për një votim të tillë, Ilir Meta zgjodhi që në daljen e tij të parë pas votimit të mos mbajë një fjalim të parapërgatitur. Duke deklaruar se po ndjek këshillën e kolegut të tij Namik Dokle, Meta tha në fjalimin e improvizuar se do të jetë një President mbi palët, ndërsa vendosi theksin në nevojën e konsolidimit të stabilitetit në vend, rritjes së mëtejshme të standardeve të institucioneve e të proceseve zgjedhore dhe të avancimit me procesin integrues.
Në vijim të fjalës së tij, Meta tha se kjo mund të arrihet përmes bashkëpunimit dhe për këtë qëllim tha se do të luajë një rol që shkon në drejtim të krijimit të një klime bashkëpunimi mes palëve për përmbushjen e sfidave me të cilat përballet vendi. Ndërsa ceremonia e betimit në Kuvend është parashikuar të mbahet me 24 korrik, Meta tha se shpreson se në atë ditë, Shqipëria të jetë më e qetë.
Mëposhtë fjalimi i plotë i Presidentit të zgjedhur, Ilir Meta:
Falenderoj ata që më votuan pro. Falenderim edhe kolegëve që votuan kundër. Por dua të falenderoj në mënyrë të veçantë kolegët që mungojnë këtu pasi me mungesën e prezencës së tyre ata në njëfarë mënyrë më kanë nxitur për të pranuar kandidimin dhe këtë përgjegjësi shumë të rëndësishme. Nuk kam përgatitur ndonjë fjalim dhe erdha me fjalim të improvizuar. Kam dëgjuar këshillën e zotit Dokle e sa herë kam dëgjuar këshillën e tij kam pasur sukses, kështu që po flas pa letër.
Politika është gjithmonë mes dy raporteve në ushtrimin e demokracisë dhe pushtetit. Unë kam zgjedhur dhe do të zgjedh demokracinë në raport me pushtetin. Sepse pushtet ka edhe në vende jodemokratike dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë, kur lexoi relacionin kolegia Hysi, përmendi që kam lindur ne Çepan të Skraparit. Ai është një fshat i thellë malor në një rreth që është ndër më malorët dhe më të thellët në Shqipëri.
Kur unë kam qenë student doja të bëhesha pedagog dhe profesor Angjeli, që ka qenë pedagogu im, e di shumë mirë sepse në vitin 1988 e kishe shumë të vështirë që të ëndërroje të bëheshe deputet, kryeministër, kryetar parlamenti siç jam unë sot dhe aq më tepër që të zgjidhesh President.
Dhe unë kam pasur këtë mundësi vetëm falë demokracisë dhe mundësive që ajo më ka dhënë, jo vetëm mua por edhe juve e shumë e shumë shqiptarëve të tjerë për të gëzuar lirinë e tyre e për t’I dhënë vendit mundësinë që të jetë vend anëtar i NATO-s, kandidat për Bashkimin Europian, një vend që i ka të gjithë mundësitë që të çelë negociatat së afërmi nëse ne do të arrijmë që të bëjmë çdo sakrificë për të mbrojtur standartet e demokracisë dhe për ta çuar akoma më tej, sidomos në ditët e javët që vijnë, duke realizuar zgjedhjet e standardeve të larta gjithëpërfshirëse dhe demokratike, me qëllim që të forcojmë legjitimitetin e të gjitha institucioneve tona dhe njëkohësisht me qëllim që të krijojmë të gjithë shanset për një atdhe që frymëzon të rinjtë e fëmijët e të gjithë shqiptarët.
Unë do të bëj çdo gjë në të gjithë cilësitë e mia për të justifikuar këtë besim që ju më dhatë sot jo vetëm para jush por para të gjithë qytetarëve shqiptarë, përpara Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përpara interesave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin sigurinë kombëtare, të ardhmen europiane të vendit dhe do t’u lutesha të gjithëve që janë këtu, por edhe atyre që mungojnë, që të përpiqemi në këto orë, këto ditë, t’i japim, jo thjeshtë të gjitha partive, por në radhë të parë të çdo qytetari, që të kontribuojnë në zgjedhje më të ndershme të lira e demokratike që meriton vendi. Në 21 korrik në mëngjes kur ishin shuar shpresat për konsensus për Reformën në Drejtësi, kam qenë shumë i shqetësuar dhe kam apeluar për çdo përpjekje për të gjetur konsensus në mënyrë që Shqipëria të mos bëhej Maqedoni.
Dje ne kemi parë të gjithë ngjarjet tronditëse në Kuvendin e Maqedonisë të cilat vijnë për shkak të një konflikti e një kokëfortësie politike të papranueshme, ndaj unë edhe një herë tjetër dua të apeloj të gjithëve që të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit, legjitimitetin e institucioneve tona në mënyrë që të mos sakrifikojmë këto arritje shumë të mëdha që ka arritur vendi deri tani dhe ka realizuar gjatë këtyre viteve të kësaj legjislature dhe të këtij mandati qeverisës pasi kjo është një detyrë dhe një përgjegjësi e secilit prej nesh që të bëjë gjithçka.
E di që po të më kishin dhënë 83 vota do të dëgjonit zoti Ruçi se pse u dogjën tre raundet e para, se nuk i kishin votat, kur e vërteta është mjaft e qartë dhe kokëfortë për të gjithë që ne kemi bërë përpjekje gjatë këtyre javëve për të evituar këtë ngërç në këtë situatë dhe kur të gjithë e dimë që disponimi nga ana jonë dhe nga ana ime ka qenë maksimale që edhe posti i Presidentit edhe pse mazhoranca i kishte dhe i ka votat, i kishte për ta zgjedhur që në raundin e parë, të investohej për një konsensus të gjerë për përmirësimin e klimës së besimit.
Megjithatë janë disa afate dhe në demokraci unë mendoj se duhet të presim, duhet të investojmë për përmirësimin e klimës për të rritur mirëbesimin. Kështu që shpresojmë dhe besoj se ende ka kohë për të krijuar një atmosferë krejtësisht tjetër për zgjedhjet e ardhshme në mënyrë që edhe në 24 korrik, ditën kur do të betohet Presidenti që ju keni votuar sot, jo thjeshtë kjo sallë të jetë plot se nuk besoj se është e rëndësishme por që Shqipëria të jetë shumë më e qetë se sot dhe me një të ardhme europiane dhe më solide.
Dhe kjo mund të arrihet vetëm duke bashkëpunuar të gjithë. Ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj. Unë do të kisha dashur me shumë dëshirë për jo pak kolegë e kolege që janë këtu apo edhe që mungojnë por edhe për mjaft të tjerë që nuk janë deputetë dhe që janë personalitete me kontribute të shquara në vendin tonë dhe që mund ta bënin këtë detyrë akoma edhe më mirë se unë.
Por për fat m’u dha mua kjo mundësi dhe unë do të bëj gjithçka që të justifikoj besimin tuaj!
Ilir Meta – Profili i plotë/Kush është Presidenti i Ri?
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.