Fjalimi i parë si Kryetar i Kuvendit, Ruçi: “Do zbatoj Kushtetutën e Rregulloren. Parlamenti t’i ngjasojë një kantieri që vlon nga puna”
Menjëherë pas votimit, kreu i ri i Kuvendit i është drejtuar deputetëve me një fjalim në të cilin ka marrë angazhimin për të drejtuar legjislativin në frymën e Kushtetutës dhe Rregullores. “Mirënjohje për besimin që më dhatë duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit të Shqipërisë, një detyrë e lartë dhe fisnike. Shpall që në fillim që gjatë ushtrimit të kësaj detyre do të jem garant i zbatimit të Kushtetutës, garant i rregullores së Kuvendit dhe kurdoherë në shërbim të qytetarëve si dhe në mbështetje të secilit prej jush për të ushtuar kështu përgjegjësitë dhe të drejtat në shërbim të Republikës” tha Ruçi.
Ai u bëri thirrje deputetëve që të lënë mënjanë interesat partiake e t’i bashkohen interesave të qytetarëve.
Në vijim të fjalës së tij, Ruçi tha se Parlamenti përballet me shumë sfida të cilat kërkojnë një përballje me vision. Në fjalimin e parë të tij si kryetar i Kuvendit, Ruçi vendosi vazhidmisht theksin në nevojën për hartimin e ligjeve cilësore e për realizimin e reformave të rëndësishme, sidomos të asaj në drejtësi.
“Reforma në Drejtësi është rruga për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe akses të barabartë për qytetarët. Për të shembur murin deri tani të pakalueshëm të pandëshkueshmërisë, për të garantuar një ekonomi të hapur, të lirë e konkurruese, për të mbrojtur pronën e lirë të qytetarëve, për të finalizuar betejën kundër krimit” vijoi Ruçi. Në fund të fjalimit të tij, Ruçi tha se të gjithë deputetët duhet të punojnë që “Parlamenti t’i ngjasojë një kantieri që vlon nga puna dhe të mos lodhemi së punuari në këtë kantier”.
Ndërkohë, me 11 shtator ora 10:00 do të zhvillohet seanca ku kryeministri do të paraqesë programin e Këshillit të Ministrave dhe përbërjen e kabinetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.