Fjalimi i Putin për të justifikuar luftën ndërpritet papritur në transmetim direkt në televizionin shtetëror!

Presidenti rus Vladimir Putin justifikoi pushtimin e Ukrainës në një tubim në Moskë të premten, ku fjalimi i tij u ndërpre papritur në transmetimin televiziv shtetëror në atë që Kremlini e përshkroi si një gabim teknik.
Dhjetëra mijëra njerëz valëvitën flamurin rus në stadiumin kombëtar teksa morën pjesë në festimet përkujtimore të vitit të tetë të aneksimit të Krimesë nga Rusia — i cili konsiderohet i paligjshëm nga qeveria ukrainase dhe nuk njihet në Perëndim.
Duke folur nga një skenë përpara një pankarte ku shkruhej, “Për një botë pa nazizëm”, Putin tha se Rusia “do të zbatojë patjetër të gjitha planet e veta” në Ukrainë. Televizioni shtetëror rus më vonë riprodhoi fjalimin e plotë të Putinit pa probleme, por Kremlini refuzoi të konfirmonte ose mohonte nëse ngjarja ishte drejtpërdrejt ose e regjistruar paraprakisht.
Putin këmbënguli se uniteti kombëtar ishte më i forti në një kohë të gjatë, edhe pse shumë njerëz ikin nga Rusia ose protestojnë kundër luftës në rrugë, dhe ndërsa vendi është gjithnjë e më i izoluar në skenën globale.
Punonjësve të shtetit iu tha nga autoritetet që të merrnin pjesë në festime. Në një ftesë dhënë mësuesve në një nga shkollat shtetërore të Moskës dhe të siguruar nga CNN, të pranishmëve iu tha se do të kishin flamuj rusë dhe duhet të vendosnin shenja të bardha “Z” në veshjet e tyre, një simbol pro luftës që shihet i lyer në automjetet ushtarake të vendit në Ukrainë.
Veprimtaria që zgjati një orë e gjysmë shfaqi muzikë live dhe fjalime nga mbështetës të profilit të lartë, duke përfshirë kryeredaktoren e RT Margarita Simonyan dhe zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova. Prezantuesit dhe shumë në turmë mbanin karfica në rrobat e tyre me një shkronjë portokalli dhe të zezë Z. Prezantuesit thanë “bravo” kur publiku duartrokiti, dhe yjet dhe këngëtarët rusë të popit, përfshirë Polina Gagarina, kënduan meloditë në ngjarje.
Lyube, që besohet të jetë grupi rus i preferuar i Putin, performoi këngë patriotike për nderin, luftën dhe sakrificën. Prezantuesit, të cilët akuzuan Perëndimin për agresion ndaj Rusisë, prezantuan gjithashtu atletet olimpike ruse si Dina Averina në skenë, ndërsa turma brohoriti “Rusi, Rusi”.
Tubimi vjen në një moment të tensionuar për Rusinë, pasi ushtria e saj lufton për të kapur qytete kyçe si kryeqyteti i Ukrainës, Kievi dhe zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se humbjet e trupave të vendit janë në mijëra. Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe perëndimore kanë vërejtur gjithashtu se Rusia ka vështirësi të zëvendësojë forcat e saj, gjë që ka një ndikim të rëndësishëm në moralin e trupave, thanë të mërkurën zyrtarë të lartë të NATO-s. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.