Fluks i lartë turistësh, Rama: Vitin e kaluar s’i përballuam dot

Të huajt po dynden për turizëm në Shqipëri, por ne nuk i përballojmë dot. Edhe më optimistët prej nesh nuk e kishin menduar se vendi ynë ishte kaq i kërkuar nga turistët, por kryeministri, Edi Rama, surprizoi edhe të pranishmit e forumit ekonomik në Singapor.
Sipas tij, vitin e kaluar kërkesat nga të huajt për turizëm në Shqipëri ishin 25 herë më të larta se ato që strukturat akomoduese mund të përballonin.
Kryeministri tha se investimet e huaja janë vendimtare për modelin e rritjes që synon ekonomia shqiptare, të mbështetur te rritja e prodhimit dhe e eksporteve.
Përveç turizmit, ai prezantoi energjetikën dhe burimet minerale si sektorë me potenciale të mëdha zhvillimi.
Në paraqitjen e Shqipërisë para investitorëve nga Singapori, Rama përmendi përmirësimet në renditjen Doing Business të Bankës Botërore, por edhe reformat e ndërmarra nga qeveria, me qëllim sigurimin e një stabiliteti makroekonomik afatgjatë.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.