Fluks regjistrimesh në kopshte – Kapacitetet e kufizuara, 89% e institucioneve të mbipopulluara
Kapacitët pritëse të kopshteve në kryeqytet nuk i përgjigjen kërkesës së lartë për regjistrim. Problem mbetet fakti se ende nuk ka një zgjidhje për fëmijët të cilët ngelen të paregjistruar pavarësisht se ata i plotësojnë kriteret të vendosura nga Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës.
Jashtë Kameras, në ditën e parë të nisjes së regjistrimit për vitin 2018-2019, drejtues të kopshteve në kryeqytet theksojnë se ka mbingarkesë duke vështirësuar edhe punën e tyre. Sipas drejtuesve, aktualisht prioritet po i jepet familjeve në nevojë dhe me vështirësi ekonomike.
Vetëm pak kohë më parë në një monitorim të bërë nga shoqata “together for life” rezultoi se në 89% e 44 kopshteve në kryeqytet janë të mbingarkuara dhe se për këtë ende nuk po merren masa.
Regjistrimet në kopshte do të vijojnë deri në datë 14 shtator , ndërsa prindërit duhet t’i drejtohen atyre pranë njësisë ku banojnë, sipas ndarjes zonale. Dokumentacioni që duhet për regjistrim është certifikata e lindjes së fëmijës, vërtetimi i vaksinave të kryera si edhe analiza e Koprokulturës. Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit asnjë fëmijë nuk do të pranohet në kopshte pa kryer analizat pranë drejtorisë së higjienës. Kjo sipas drejtuesve, bëhet për të shmangur përhapjen e sëmundjeve të ndryshme tek vogëlushët.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.