Fluturimet Britani-BE – Ryanair: Mund të pezullohen, duhet arritur një marrëveshje
Fluturimet mes Britanisë dhe Europës mund të pezullohen, nëse Britania dështon të arrijë një marrëveshje për udhëtimin ajror me Bashkimin Europian brenda periudhës 2 vjeçare të negociatave.
Paralajmërimi vjen nga Ryanair dhe kreu i marketingut i kompanisë, Kenny Jacobs i bëri thirrje politikanëve që të vlerësojnë rëndësinë e kësaj dakordësie, pasi dështimi do të sillte pezullime të miliona pasagjerëve mes Britanisë dhe Kontinentit.
“Nëse një marrëveshje nuk arrihet deri në Mars 2019, ekziston mundësia që të mos ketë fluturime për një periudhë kohore”, tha ai.
Udhëtimi ajror mes Britanisë dhe BE manaxhohet aktualisht nga linja Openskies, që mbrohet nga Gjykata Europiane e Drejtësisë.
Ndërkohë që Britania del prej Bashkimit Europian, vendi nuk do të jetë më nën mbikëqyrjen e Gjykatës dhe për rrjedhojë duhet të nënshkruajë një marrëveshje të re për të nisur përsëri fluturimet drejt vendeve anëtare.
“Nëse ndodh në vitin 2019 do të jetë shumë vonë. Duhet arritur një zgjidhje në vitin aktual në mënyrë që të operojmë si zakonisht”, deklaron Ryanair.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.