Fluturimet, raportim në kohë reale për çdo pasagjer-Projektligji: Kompanitë ajrore 1 mln lekë gjobë për çdo pasagjer që s’e raportojnë
Shqipëria po planifikon të blejë një sistem elektronik që mban dhe transmeton të dhënat për ata që kalojnë kufirin shqiptar. Sistemi API parashikon të mbajë dhe të ofrojë informacione paraprake për pasagjerët. Ndryshimet në ligjin për kontrollin kufitar synojnë ndryshimin e legjislacionit shqiptar me qëllim zbatimin e një direktive të Bashkimit Europian.
Ndryshimet ligjore parashikojnë detyrimin që kompanitë e fluturimeve ajrore t’i dërgojnë Policisë Kufitare dhe të Migracionit informacion paraprak për pasagjerin (API) që udhëton me mjetin e tyre, me qëllim parandalimin, zbulimin dhe luftën kundër migracionit të paligjshëm, terrorizmin, trafikimin, veprime të tjera të kundraligjshme si dhe lehtësimin e qarkullimit të pasagjerëve.
Referuar ndryshimeve ligjore, çdo transportues duhet të dërgojë informacion si më poshtë:
– Linja ajrore e fluturimit
– Numri i fluturimit
-Numri i dokumentit të udhëtimi
-Lloji i dokumentit të udhëtimi
-Shteti që ka prodhuar dokumentin
-Shtetësia e pasagjerit
-Emri i plotë i pasagjerit (emër mbiemër, sipas dokumentit të udhëtimit)
-Datëlindja
-Gjinia
-Data e skadimit të dokumentit
-Koha e nisjes së transportuesit
-Koha e mbërritjes së transportuesit
-Numri në total i pasagjerëve që transportohen
-Numrin e bagazhit të pasagjeri (sipas çekinit për çdo pasagjer)
-Pika e kalimit të kufirit për të hyrë në territor
-Porti fillestar i imbarkimit
-Vendi/porti i destinacionit të huaj.
Informacioni paraprak i pasagjerit (API) duhet të dërgohet menjëherë sapo Autoritetet Aeroportuale të kenë dhëne lejen e nisjes për mjetin. Informacioni paraprak i pasagjerit (API) do të përpunohet nga autoritetet ligjzbatuese që operojnë në kufi.
Pas hyrjes së pasagjerëve, brenda 24 orëve, policia kufitare duhet të fshijë informacionin paraprak për pasagjerët (API), përveç rasteve kur ato janë të nevojshme për autoritetet ligjzbatuese në funksion të përmbushjes së përgjegjësive në kuadër të ruajtjes së rendit e sigurisë kombëtare, në përputhje me legjislacionin kombëtar të mbrojtjes së të dhënave personale.
Transportuesi i pasagjerëve, i cili nuk transmeton të dhënat ose transmeton të dhëna të paplota apo të rreme, është subjekt i sanksioneve, nga autoriteti përgjegjës për kontrollin kufitar, për çdo udhëtim, nga 500 mijë lekë deri në 1 milion lekë për çdo pasagjer, të dhënat e të cilit nuk janë transmetuar, ose të dhënat e transmetuara janë të paplota ose të rreme.
Në rastet kur transportuesi shkel seriozisht detyrimet që rrjedhin nga dispozitat e këtij ligji, me kërkesën e autoritetit përgjegjës për kontrollin kufitar, mund të vendoset pezullimi i përkohshëm ose heqja e licencës së operimit.
Kostoja e sistemit
Implementimi i sistemit API do të shoqërohet me efektet financiare në sigurimin e programeve të nevojshme për përdorim, në transmetimin dhe marrjen e të dhënave nga kompanitë e transportit të pasagjerëve si dhe në mirëmbajtjen e sistemit në vazhdimësi.
Këto efekte financiare duhet që të planifikohen dhe të mbulohen nga buxheti i shtetit ose të sigurohen nëpërtmjet donacioneve nga partnerët ndërkombëtar. Nëse Sistemi i Transmetimit të të Dhënave (programit) do të blihet atëhere kostoja e programit do të jetë rreth 1.7 milion Euro, kostoja e instalimit do të jetë rreth 1000 Euro, kostoja e mirëmbajtjes do të jetë rreth 7-10% e kostos së sistemit në vit ndërsa kostoja e shkëmbimit të të dhënave do të jetë rreth 2000 Euro në muaj, konto që mund të ndryshojë më rritjen e numrit të pasagjerëve.
Në projektligj evidentohet se po diskutohet me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Departament of Homeland Security) për të arritur në një marrëveshje që do të bënte që kostoja të ishte zero.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.