“Fluturon” deficiti – Rritja e importeve e zgjeroi me 31% në janar
Viti 2018 ka nisur me një rritje të fortë të deficitit tregtare të vendit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, deficiti u rrit me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Deficiti tregtar prej rreth 21 miliardë lekësh erdhi kryesisht si pasojë e një rritjeje të fortë të importeve gjatë muajit janar.
Vlera totale e raportuar nga Instat ishte afro 45 miliardë lekë, 27% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Importet u rritën për shumicën e grupmallrave, por kontributin kryesor e dha grupi minerale lëndë djegëse, energji”, çka, me shumë të ngjarë reflekton një rritje të fortë importit të karburanteve, për shkak të problemeve në industrinë vendase të përpunimit.
Viti 2018 nisi pozitiv edhe për eksportet, por rritja nuk arriti të kontribuonte në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit. Për janarin, eksportet arritën në 23.4 miliardë lekë, 24% afro më shumë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Eksportet po ndjekin tendencën pozitive të vitit të kaluar, të udhëhequra gjithnjë nga sektori fason.
Sipas Instat, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” për janarin u rritën 17% me bazë vjetore, për një vlerë totale prej 10.5 miliardë lekësh.
Grupi “materiale ndërtimi dhe metale” edhe për janarin shfaqi rritje të eksporteve, duke arritur një vlerë prej 4.3 miliardë lekësh, afro 80% më shumë krahasuar me janarin 2017.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.