FMN apel Eurozonës – “Qeveritë, të shfrytëzojnë rritjen e fortë për të bërë reforma”
Eurozona duhet të shfrytëzojë rimëkëmbjen e fortë ekonomike për të kaluar reformat që janë të vështira politikisht, deklaroi Poul Thomsen, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Europën.
Komisioni Europian projekton që ekonomia e 19 vendeve që ndajnë monedhën e përbashkët të rritet me 1.7% përgjatë këtij viti dhe 1.8% vitin e ardhshëm.
Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton një rritje në 2.1% për këtë vit dhe 1.9% vitin e ardhshëm, pra bindshëm më optimiste se vetë Europa.
“Sfida kryesore që duhet të menaxhojnë politikbërësit europianë është ajo që të shfrytëzojnë rritjen e fortë ekonomike për të kaluar reformat e vështira”-deklaroi Thomsen gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Bankën Botërore.
Ka ardhur koha shtoi ai, duke i`u drejtuar qeverive dhe autoriteteve kompetente në vendet anëtare të Eurozonës. Ka ardhur gjithashtu koha që këto vende të bëjnë reformat e nevojshme strukturore për të nxitur produktivitetin.
Në mos sot, kur? – i`u drejtua ai qeverive të 19 vendeve. Pavarësisht se FMN nuk foli me emra shtetesh, duket se gishti i është drejtuar kryesisht vendeve si Italia, Spanja, por edhe Gjermania.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.