FMN beson te Franca – “Macron ka një mundësi unike të reformojë ekonominë”

Franca ka një mundësi unike për të ndërmarrë reformat kyçe, që kanë për synim të forcojnë financat e dobëta publike dhe ulin papunësinë e lartë, duke rikthyer njëkohësisht edhe konkurrueshmërinë e vendit, thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sipas institucionit, kjo hapësirë unike vjen pasi ekonomia e dytë më e madhe e Europës sapo ka përshpejtuar hapin, e duhet ta shfrytëzojë këtë moment.
Sipas institucionit me bazë në Washington, plani i qeverisë franceze për të shkurtuar shpenzimet është i nevojshëm.
Përfundimet vijnë në raportin vjetor të fondit për ekonominë franceze.
“Me një mandat të fortë politik dhe përmirësimin e kushteve ekonomike, ku rritja është rrugës drejt objektivit prej 1.5% në vit, tani është një shans unik për këtë paketë reformash”, thotë shprehimisht Fondi Monetar Ndërkombëtar në këtë raport.
Fondi ka rritur edhe projeksionet për ekonominë e vendit, në 1.5%, nga 1.4% që vlerësonte më parë. Gjithsesi, qeveria vijon të synojë një normë rritje pranë 1.6%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.