FMN: Borxhi real 69.9% – Shefi i misionit: Rimbursoni TVSH-në. Denaj: Në normalitet brenda 3-mujorit
Në vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar borxhi publik i Shqipërisë në vitin 2018 ishte 69.9% e PBB-së, duke përfshirë këtu edhe detyrimet e prapambetura.
Në përfundim të misionit të radhës,përfaqësuesi i FMN-së tha së në 2019-ën pritet një rënie e tij, ndërsa kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe për rimbursimin e TVSH-së në kohë.
“Nevojitet veprim i menjëhershëm për të kufizuar detyrimet e prapambetura të sektorit publik. Këto detyrime të prapambetura e cenojnë klimën e biznesit dhe besimin në qeveri. I nxisim autoritetet të sigurojnë shlyerje të plotë dhe me afat të çdo kërkese të miratuar për rimbursim të TVSH-së duke mos i lidhur rimbursimet me flukset përkatëse të të ardhurave tatimore.” – tha përfaqësuesi i FMN-së.
Ndërkaq, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri me dije se brenda 3-mujorit të dytë të vitit, rimbursimi i TVSH-së do të kthehet në norma realë.
“Pritet që të arrijë në norma reale normale brenda këtij 3-mujori. Kemi marrë angazhim për të paguar rimbursimet e prapambetura në një kohë sa më të shpejtë dhe vetëm në 4-mujorin e parë janë paguar afro 12 milionë dollarë apo 28% më shumë se 1 vit më parë.”– tha Denaj.
Ndërkaq, shefi i misionit të FMN-së kërkoi edhe miradministrimin e borxhit, duke kërkuar emetimin e bonove afatshkurtra 3 dhe 6-mujore.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.