FMN garanton mbështetjen për Administratën Tatimore të Kosovës

Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon të mbështesë Administratën Tatimore të Kosovës. Në mënyrë që të përmirësohet procesi i menaxhimit të rrezikut të përmbushjes, nga data 5 deri më 15 Qershor 2017, në ATK është realizuar misioni i asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar me eksperten Telita Snyckers.
Lajmi konfirmohet në një deklaratë për mediat nga Administrata Tatimore e Kosovës, ku ndër të tjera thuhet se: “Qëllimi i këtij misioni ishte ofrimi i këshillave në përmirësimin e procesit të menaxhimit të përmbushjes vullnetare, duke u përafruar me praktikat më të mira ndërkombëtare. Në takimin e mbajtur më 14 Qershor 2017, mes Drejtorit të Përgjithshëm dhe znj. Telita, është diskutuar për gjendjen aktuale të procesit të menaxhimit të rrezikut të përmbushjes, i cili si proces dhe kapacitetet njerëzore janë vlerësuar se kanë përparësi strategjike dhe se raportet e prodhuara lidhur me menaxhimin e rrezikut të përmbushjes, janë të realizuar mjaft mirë, krahasuar me shtetet në rajon”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në takim u prezantua edhe gatishmëria e FMN për të mbështetur ATK në fusha të cilat ky institucion i sheh me prioritet dhe konkretisht në fushat të cilat janë identifikuar si potenciale për përkrahje në raportin e asistencës teknike.
Drejtori i Përgjithshëm Sakip Imeri shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së, në zhvillimin dhe modernizimin e Administratës Tatimore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.