“FMN-ja i bie alarmit”, Basha: Ekonomia e vendit do të keqësohet
Të dhënat e FMN një ditë më parë, për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha janë paralajmërime serioze se ekonomia shqiptare do të përkeqësohet në të ardhmen.
“Misioni i FMN-së ka bërë paralajmërime kritike dhe serioze për të ardhmen e vendit. FMN ka lëshuar një mesazh të qartë se gjendja ekonomike e Shqipërisë do të keqësohet edhe më keq në të ardhmen.
Mbarimi i TAP-it dhe Devollit, investime të siguruara nga qeverisja demokrate do ta thajnë ekonominë nga financimet e huaja që janë të domosdoshme për të krijuar punësim, mirëqenie dhe për të rritur ekonominë dhe kjo qeveri nuk ka siguruar fare investime të huaja të reja për ekonominë. FMN-ja e thotë qartë, mbarimi i këtyre dy investimeve do të sjellë rënien ekonomike.
FMN-ja i bie alarmit se borxhi ka arritur një rekord të papërballueshëm, gati 72 % e prodhimit të vendit. Madje në këtë borxh nuk përfshihet borxhi i fshehur përmes PPP-ve, i cili e rrit nivelin edhe me 10 pikë të tjera, duke çuar borxhin real në 82% të prodhimit të vendit”.
Sipas Bashës niveli i lartë i borxhit mund të çojë vendin drejt krizës financiare.
“Sot detyrimi i papaguar i kësaj qeverie është 270 milionë dollarë ose 1.8% e Prodhimit Vjetor të Vendit. FMN-ja ka ngritur shqetësimin e madh se paratë e shqiptarëve shpenzohen për projekte investimesh të kota, pa leverdi ekonomike, pa leverdi për qytetarët.
FMN thotë hapur; reformat në sektorin e energjisë janë dështim dhe kërkon përmirësime urgjente. Qindra milionë dollarë të harxhuara në sektorin e energjisë kanë shkuar dëm, janë shpërdoruar.
FMN-ja rithekson edhe njëherë rrezikun e madh të PPP-ve. Një kërcënim i jashtëzakonshëm për të cilin opozita, Partia Demokratike i ka rënë e para alarmit kombëtar. FMN-ja bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të PPP-ve me kërkesa nga privatë. FMN-ja kërkon të ndryshojë rrënjësisht vendimmarrja për PPP-të dhe të bëhen analiza të vërteta përpara se të merren vendime mbi to”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.