FMN: Kosova, shembull suksesi – “Por ka shumë sfida përpara, disa janë emergjente”
Zv.Drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, pas Shqipërisë ka vizituar edhe Kosovën, duke nënvizuar tre sfida kyçe për ekonominë e vendit; rritjen e fortë dhe të qëndrueshme ekonomike për të kapur ritmin e Europës, uljen e papunësisë, sidomos për të rinjtë si një emergjencë për autoritetet dhe politikat për të mbështetur zhvillimin e sektorit privat.
Zyrtari i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar u takua me kryeministrin Haradinaj, kreun e parlamentit, Kadri Veseli, ministrin e financave Bedri Hamza dhe kreun e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti. “Kosova ka qënë një shembull suksesi i një vendi të dalë nga një konflikt, në gjendje për të zhvilluar ekonominë e vet nëpërmjet implementimit të reformave.
Unë i nënvizova autoriteteve nevojën për të përshpejtuar reformat, sidomos në edukim, qeverisje, shëndetësi, infrastrukturë dhe aksesin në financim, për të përmirësuar konkurrueshmërinë, tërheqjen e investimeve të huaja dhe sektorin privat”-deklaroi zyrtari i lartë i FMN. Ndër të tjera ai këshilloi autoritet edhe për një forcim të administratës së taksave në mënyrë që të luftohet informaliteti dhe të sigurohet një ambient më miqësor për investitorët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.