FMN, kritika buxhetit 2020 – Nuk parashikon rritje të investimeve, kushtëzohen shërbimet publike
Në përfundim të misionit dy-ditor, në vendin tonë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk rezervohet në kritika ndaj buxhetit të vitit të ardhshëm, si dhe paralajmëron qeverinë shqiptare për mosrealizim të të ardhurave. FMN flet edhe për të mira e shërbime publike, jetike, të kufizuara për shqiptarët, gjë që duket se është e destinuar të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. “Tkurrja e bazës së të ardhurave dhe institucionet e dobëta, të cilat kanë kapacitet të kufizuar dhe vështirësi për të rekrutuar personel të kualifikuar, kushtëzojnë ofrimin e të mirave jetike publike, si infrastruktura, arsimi e kujdesi shëndetësor me cilësi të lartë.
Ky është një problem i vazhdueshëm, meqenëse buxheti për vitin 2020 nuk parashikon rritje të shpenzimeve kapitale si përqindje e PBB-së”-thuhet në njoftimin e fondit në përfundim të misionit në vendin tonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet një ulje e lehtë e investimeve publike. Madje, vetë ministrja e infrastrukturës në vend ka drejtuar akuza dhe kritika të forta ndaj ministrisë së financave sa i përket buxhetit të vitit të ardhshëm.
“Ne parashikojmë mosrealizim të konsiderueshëm në të ardhura që do të rrisin trysninë mbi këto shpenzimet të rëndësishme kapitale”-vijon Fondi Monetar Ndërkombëtar në përfundim të misionit dy-ditor në vendin tonë. Ky paralajmërim përkthehet jo vetëm në një kërcënim për financat publike por edhe për të ardhmen e investimeve publike, sidomos në sektorët kyç, ato të cilave i`u referohet edhe FMN dhe që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, si shëndetësia, arsimi, apo infrastruktura rrugore.
Të dhënat e fundit tregojnë se, Në 10 muaj të vitit, qeveria ka realizuar vetëm gjysmën e investimeve publike të parashikuara me buxhetin e viti 2019, ndërsa gjysma tjetër është lënë të disbursohet në dy muajt e mbetur Nëntor-Dhjetor. Kështu, për periudhën Janar-Tetor 2019, kanë shkuar për investime 47 miliardë lekë, apo 54 për qind e buxhetit të planifikuar. Ndërkohë që krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë, regjistrohen në 3 miliardë lekë më pak. Shkak për ecurinë e dobët të investimeve, mund të jetë zhvillimi i zgjedhjeve lokale por edhe mos avancimi sipas parashikimeve i projekteve infrastrukturore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.