FMN me plan B – Program i veçantë shpëtimi për Greqinë, paralel me ESM

Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të përfshihet në programin e shpëtimit të Greqisë, duke financuar vetëm një shumë të vogël parash për një vit, deklaroi zëdhënësi i qeverisë helene, duke shtuar se, çështja është në diskutim mes Athinës dhe kreditorëve.
Programi i shpëtimit të Greqisë është i treti që prej krizës që mbërtheu vendin 7 vite më parë, dhe pritet të përfundojë në gusht të vitit të ardhshëm.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ende nuk ka vendosur në rast se do të bëhet pjesë e këtij programi, pas përplasjeve me kreditorët e tjerë dhe kryesisht me Gjermaninë, sa i përket borxhit helen dhe objektivave fiskale.
“Ajo që është në diskutim është që FMN të financojë me një shumë të vogël Greqinë, për të paktën 1 vit, dhe ky financim të mbarojë në të njëjtën kohë me programin e Mekanizmit Europian të Stabilitetit, në gusht të 2018“, nënvizoi zëdhënësi i qeverisë greke.
Kjo do të thotë se, FMN dhe Eurozona ndahen tërësisht në qëndrime sa i përket Greqisë, dhe se nuk do të bashkohen në një program të vetëm, pavarësisht deklaratave të njëpasnjëshme të Berlinit, se përfshirja e fondit në këtë program është një domosdoshmëri.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.