FMN me rekomandime për Shqipërinë – “Më shumë transparencë me shpenzimet, kujdes me shtrëngimin e politikave monetare”

Raporti i fundit monitorues i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë jep një panoramë mjaft të hollësishme të situatës ekonomike dhe financiare të vendit tonë, pa lënë pas dore edhe një sërë rekomandimesh për qeverinë shqiptare. “Drejtuesit ekzekutiv të FMN nënvizuan nevojën për të përqafuar një konsolidim fiskal të besueshëm dhe të bazuar mbi të ardhurat, në linjë me rekomandimet e stafit.
Ata nënvizuan se, eficenca e ulët e shpenzimeve duhet reduktuar dhe se mbështetja fiskale duhet të shënjestrojë më mirë ata që janë më shumë në nevojë”-nënvizon Fondi Monetar Ndërkombëtar mes reshtave në raport. Kështu, theksi vihet te nevoja për të përmirësuar cilësinë dhe transparencën e shpenzimeve publike. “Përpjekje më të përqëndruara nevojiten për të monitoruar dhe menaxhuar rreziqet fiskale”-shton FMN në raportin për Shqipërinë. Autoriteteve ju kërkohet gjithashtu më shumë transparencë për shpenzimet emergjente si dhe nënshtrimi i fondeve të rindërtimit ndaj kontrolleve më të përshtatshme.
Ndër të tjera, FMN i bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vijojnë me politikën lehtësuese monetare, dhe se ndryshimi i kahut të politikave monetare duhet të vijë vetëm i bazuar në sinjale të qarta mbi zgjerimin e presioneve inflacioniste. Ky paralajmërim vjen pasi Banka e Shqipërisë ka deklaruar se nëse do të jetë nevoja, gradualisht do të nisë shtrëngimi i politikave monetare, pra rritja graduale e normave të interesit.
Sa i përket sektorit financiar, ai vlerësohet si i qëndrueshëm dhe likuid. Por, gjithsesi i kërkon autoriteteve vëmendje të posaçme ndaj rreziqeve që mund të burojnë nga sektori i pasurive të patundshme, si dhe nga ai i aseteve virtuale, kryesisht kriptovalutat.
Fondi Monetar Ndërkombëtar bën gjithashtu thirrje për përfundimin e reformës në drejtësi si dhe përforcimin e kornizës ligjore për adresimin e çështjeve si pastrimi i parave.
Sa i përket aftësisë së Shqipërisë për të kryer pagesat ndaj FMN, ajo vlerësohet si e përshtatshme dhe me rreziqe të kontrolluara dhe menaxhueshme.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.