FMN, optimiste për globin – Rishikon rritjen ekonomike, por ka një paralajmërim
Fondi Monetar Ndërkombëtar së fundmi rriti projeksionet e ekonomisë globale për vitin aktual, në 3.5%, nga 3.4% që projektonte në muajin Janar të këtij viti. Rritja e projeksioneve vjen si pasojë e përmirësimit të manifakturës dhe sektorit të tregtisë në Europë, Japoni dhe Kinë.
Por ndërkohë që fondi duket më optimist se asnjëherë më parë për ekonominë globale gjatë 6 viteve të fundit, paralajmëron edhe për rreziqe. Rreziku numër një, sipas institucionit me bazë në Washington është pikërisht proteksionizmi.
Këto politika rrezikojnë të mbysin rimëkëmbjen e ekonomisë globale, nënvizon institucioni. “Vrulli i ekonomisë që ne prisnim prej kohësh, më në fund duket se po materializohet”, vijon më tej fondi.
Institucioni ka rishikuar ndjeshëm disa prej ekonomive më të zhvilluara të globit. Për ekonominë japoneze projeksionet janë rishikuar me plot 0.4 pikë përqindje në krahasim me Janarin, në 1.2%.
Eurozona dhe Kina ndërkohë janë rishikuar po ashtu në territor pozitiv, por me vetëm 0.1%, në 1.7 dhe 6.6% respektivisht. Sa i përket ekonomisë numër një të botës, Fondi Monetar Ndërkombëtar mban të pandryshuara projeksionet, në 2.3% përgjatë këtij viti. Edhe projeksionet për rritjen ekonomike të Britanisë janë rishikuar në territor pozitiv.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.