FMN për Azinë: “Popullsia në plakje dhe produktiviteti i ulët kërcënojnë rajonin”

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se perspektiva afatmesme ekonomike në Azinë e Paqësorit do të cenohet nga popullsia në plakje dhe produktiviteti i dobët, megjithatë shton se në afatgjatë, rajoni do të ketë një rritje sipër mesatares botërore.
Ekonomia në rajon pritet të rritet me 5.5% këtë vit dhe 5.4% në 2018-ën, sipër vlerësimeve të FMN për ekonominë botërore me 3.5% në 2017 dhe 3.6% në vitin e ardhshëm.
Fondi shton se për të mbajtur ekonominë e qëndrueshme në terma afatgjatë, duhen ndërmarrë reforma strukturore që të trajtojnë sfida si tranzicioni demografik dhe rritja e produktivitetit. Kina, Hong Kongu, Japonia, Korea e Jugut dhe Tajlanda, ku popullsia në moshë pune po tkurret ndjeshëm, pritet të arrijnë një nga normat më të larta të vjetërsisë në botë deri në 2050-ën.
“Demografia do të përbëjë një element negativ për rritjen ekonomike në Azi, dhe mund t’i herqë 0.1% rritjes globale në 3 dekadat e ardhshme”, nënvizon raporti. Megjithatë, reformat në tregun e punës dhe pensionet mund të ofrojnë mbështetje. Këtu përfshihet promovimi i pjesëmarrjes në punë të grave e të moshuarve, si dhe garantimin e pensionit minimal, thekson FMN.
Azia ka pasur një ngadalësim të produktivitetit që prej krizës globale, veçanërisht në ekonomitë më të zhvilluara si Kina.
“Përmirësimet e qëndrueshme në mirëqenie dhe standardet e jetesës kërkojnë patjetër rritje të produktivitetit”, bën të ditur FMN. Sipas organizatës, teknologjitë e reja, riorganizimi i proceseve të prodhimit, kërkimi dhe zhvillimi, eksporte/importet dhe investimet e huaja direkte janë të gjitha nxitës të produktivitetit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.