FMN për bankat – Apel autoriteteve për të pasur kujdes me proceset e shitjes në të ardhmen
Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e parë të post-monitorimit për vendin tonë, nënvizon edhe faktin se, një sërë bankash europiane, të pranishme në vendin tonë, kanë bërë publike qëllimin e tyre për të shitur degët në Shqipëri.
Siç dihet tashmë, kjo është më shumë rrjedhojë e planeve të grupeve mëmë për t`u përqendruar në vendet e tyre, sidomos sa i përket bankave greke, sesa rrjedhojë e dinamikës së tregut bankar në vendin tonë.
Gjithsesi, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron autoritetet shqiptare që të tregohen të kujdesshme në këto procese shit-blerje, për të shmangur kështu rrezikun që në të ardhmen e afërt, një apo disa nga këto banka të shiten drejt grupeve pa eksperiencë në sektorin bankar.
Diçka e tillë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar është me mjaft rëndësi, dhe për këtë arsye, autoritete duhet të tregohen vigjilente.
“Është me mjaft rëndësi që aktorët e rinj që do të hyjnë në tregun bankar në Shqipëri të kenë një eksperiencë të fortë bankare si dhe të përmbushin kriteret për të operuar në tregun vendas”, nënvizon Fondi Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë.
Për këtë arsye, FMN rekomandon autoritetet që të kenë komunikime të vazhdueshme me bankat mëmë në Europë si dhe të forcojnë mbikëqyrjen në këtë drejtim.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.