FMN për ekonominë e SHBA – Lista e Lagarde përputhet me reformat e Donald Trump

Shtetet e Bashkuara duhet të reformojnë sistemin tatimor, të investojnë në programet e infrastrukturës, riorganizojnë politikat për emigracionin dhe ulin rregulloret e bizneseve, tha shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde. Lista e saj duket se përputhet me prioritetet e presidentit Donald Trump.
“Unë nuk jam fanse e askujt dhe nuk preferoj asnjë propozim fillestar. Unë kërkoj të shoh detajet”, tha Lagarde ndërsa pyetej nëse është admiruese e Donald Trump.
Fondi planifikon të përditësojë perspektivën për ekonominë globale kur të publikojë projeksionet e fundit javën që vjen. Lagarde tha se fuqizimi po vjen në rreth 75% të ekonomive në të gjithë botën.
“Duke e thënë ndryshe, nuk është vetëm një vend që po e kryeson këtë rimëkëmbje. Është Europa, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kina dhe India si dhe shumë vende të tjera”, tha Christine Lagarde.
Në muajin Korrik, Fondi Monetar Ndërkombëtar projektoi se rritja e ekonomisë globale do të shënojë 3.6% në vitin 2018, që do të ishte norma më e lartë që prej vitit 2011. Ndër shqetësimet, Lagardë nënvizoi “rritjen e madhe të borxhit në botë”, duke shtuar se borxhi publik dhe privat ka vazhduar rritjen që prej krizës financiare të vitit 2008.
Për Shtetet e Bashkuara, Lagarde tha se ndër fushat që do të ndihmonte rritjen ekonomike është reforma tatimore. Ajo shtoi se reforma duhet të jetë neutrale në buxhet, duke mos rritur defiçitin dhe shtuar nivelin e borxhit në të ardhmen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.