FMN përgëzon Kinën – Pritet performancë e fortë ekonomike, rikujton reformat
Ekonomia kineze vazhdon të ketë performancë të fortë dhe norma e rritjes pritet në 6.6% këtë vit, në rënie nga 6.9% që ishte në 2017-ën, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Projeksionet ishin të pandryshuara nga vlerësimi i muajit Maj. Fondi Monetar Ndërkombëtar rriti vlerësimin për ekonominë kineze në Janar, pas përshpejtimit të papritur të vitit të kaluar. Ndërkohë që mirëpriti progresin e Kinës në reduktimin e rreziqeve në sektorin financiar dhe hapjen e mëtejshme të tregut, fondi bëri të ditur se rritja e kreditit është ende në nivele tejet të larta.
Pekini është përpjekur në 2 vitet e fundit që të frenojë rritjen e kreditit, që sipas analistëve do të sjell ngadalësimin ekonomik në afat-shkurtër, por që është i nevojshëm për të shmangur një krizë financiare në të ardhmen. FMN deklaroi se Kina duhet të vazhdojë angazhimet në axhendën e uljes së levës financiare ndërkohë që zbaton reformat fiskale dhe ribalancimin ekonomik. “Pas dekadash të rritjes ekonomike të shpejtë, autoritetet po përqendrohen tashmë në një rritje cilësore”, theksoi fondi.
Rritja ekonomike u ngadalësua lehtë në 6.7% në tremujorin e dytë, ndërkohë që aksionet e Pekinit për të reduktuar borxhin kanë dëmtuar aktivitetin. Fondi bëri të ditur se perspektiva e Kinës në afat-shkurtër qëndron e fortë për shkak të vrullit brenda vendit, rimëkëmbjes globale dhe progresit të reformave. Megjithatë, organizata në Washington paralajmëroi për ndërhyrjet shtetërore, ekonominë ende të mbyllur dhe ribalancimin e ngadaltë të ekonomisë drejt konsumit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.