FMN, perspektiva për Kinën – Fuqizimi i ekonomisë lë vend për t’u fokusuar te reformat
Rritja e fortë ekonomike në Kinë, deri më tani për vitin, i ka hapur rrugën politikëbërësve që të përshpejtojnë reformat dhe të fokusohen në cilësinë e rritjes së PBB, deklaron Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Projeksionet për kinën qëndrojnë për një rritje me 6.7% në 2017-ën. Në vlerësimin e fundit për ekonominë e dytë më të madhe në botë, FMN bëri të ditur se Kina po përfiton nga efektet e politikave fiskale, përmirësimi i kërkesës së jashtme dhe reformat ekonomike.
Sipas fondit, masat e ashpra për manaxhimin e fluksit të kapitalit dhe projeksionet më të qëndrueshme për kursin e këmbimit, pritet të ngadalësojnë daljen e kapitalit nga vendi. Duke mirëpritur përpjekjet e kinës për uljen e mbikapacitetit, FMN sugjeroi se vendi duhet të zgjerojë fushëveprimin e reduktimit të kapacitetit dhe të përshpejtojë reformat për ta bërë rritjen ekonomike më pak të varur nga borxhi dhe investimet.
Zyrtarët e organizatës thanë se reformat strukturore në anën e ofertës po ndihmojnë vrullin ekonomik dhe ofrojnë një mjedis të mirë makroekonomik për ekonominë kineze.
Efektet e stimujve të ndërmarra 2 vite më parë, në pjesën e investimeve dhe pasurive të patundshme, qëndrojnë ende.
Fondi përgëzoi përpjekjet e Kinës për manaxhimin e sektorit të jashtëm, eksporteve dhe kursin e këmbimit, gjë që ka ulur daljen e kapitalit nga vendi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.