“FMN” radhit këshillat – “Mos ulni taksat dhe mos aplikoni taksim preferencial”

Në përfundim të artikullit katër të konsultimeve me qeverinë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar edhe një raport me përfundimet e këtij misioni. Institucioni që tashmë ka vetëm rol monitorues e vë theksin te reformat dhe te ecuria pozitive e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti por edhe atij që do të hyjë.
“Mandati i qartë i qeverisë pas fitores së zgjedhjeve të Qershorit, parashikimi i favorshëm ekonomik si dhe perspektiva për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian janë një shans mjaft i mirë për të vazhduar me implementimin e axhendës së reformave”, thuhet në deklaratën e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Sipas FMN, objektivat primarë të qeverisë shqiptare duhet të jenë stabiliteti makroekonomik dhe financiar, si dhe thellimi i reformave institucionale dhe strukturore. Sa i përket konsolidimit fiskal, fondi rekomandon qeverinë shqiptare që të vlerësojë idenë e një rruge konsolidimi më të gjerë dhe më ambicioze, por pa saktësuar mes rreshtave të deklaratës se si mund të ishte kjo rrugë e re.
Më tej, FMN thotë se, qeveria ka nevojë të mbledhë më shumë të ardhura, por se nga ana tjetër duhet të mos ulë taksat si dhe të mos aplikojë një taksim preferencial. FMN vlerëson gjithashtu planin e qeverisë për një taksë mbi pronën në bazë të vlerës.
Sa i përket menaxhimit të investimeve publike, institucioni me bazë në Washington i bën thirrje qeverisë që të implementojë ligjin për Partneritetin Publik Privat sipas praktikës më të mirë ndërkombëtare. “Pas fitimeve të konsiderueshme, reforma në sektorin energjetik është shtyrë dhe duhet rinisur”, vazhdon më tej FMN.
Për Bankën Qendrore ka elozhe, për politikën monetare akomoduese si dhe për strategjinë e deeurozimit. Pengesat ndaj konkurrueshmërisë mbeten problemi numër një për një rritje më të shpejtë ekonomike, thuhet më tej.
Reforma të mëtejshme duhen në drejtësi, të drejtën e pronës dhe anti-korrupsion, thotë FMN. Sa i përket projeksioneve ndërkohë, ato të inflacionit janë rishikuar në rritje, pranë 3%, por që duket se nuk është aspak një lajm i mirë për ekonomitë familjare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.