FMN, rekomandime Gjermanisë – “Të investojë në projekte infrastrukture dhe të rrisë pagat”
Gjermania duhet të rrisë të ardhurat nga taksat për të investuar në projekte infrastrukture që do të përmirësojë potencialin e rritjes ekonomike, si dhe të inkurajojë punëdhënësit që të rrisin pagat, duke nxitur rritjen e inflacionit në Eurozonë, deklaron Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Rekomandimet e Fondit bien në kontradiktë me argumentet e Ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schaeulbe, i cili refuzoi kritikat se vendi nuk ka investuar sa duhet.
Në një raport, Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se sufiçiti i madh dhe i vazhdueshëm i llogarisë korrente të Gjermanisë reflekton kursimet e mëdha të brendshme dhe mundësitë më të mira të investimit jashtë vendit.
“Gjermania duhet të ndërmarrë një serë politikash të koordinuara fiskale dhe strukturore për të trajtuar sfida si disbalancat e jashtme”, thekson Fondi.
Zyrtarët e organizatës thanë se sufiçiti i llogarisë korrente i Gjermanisë do të bie në 7.5% në raport me Prodhimin Kombëtar deri në vitin 2022, nga 8.3% që projektohej më parë.
Sipas tyre, një sufiçit mes 2.5-5% do të ishte i përshtatshëm për ekonominë më të madhe të Europës. Zyrtarët gjermanë kanë thënë prej kohësh se sufiçiti vjen pjesërisht prej produkteve tërheqëse gjermane, për të cilat vendi nuk duhet të ndëshkohet.
Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi gjithashtu se investimet e bizneseve në Gjermani po humbasin vrull dhe plakja e popullësisë po dëmton perspektivën afat-gjatë.
“Hapësira fiskale duhet të përdoret për iniciativa që përmirësojnë potencialin e rritjes ekonomike, si investime në infrastrukturë fizike dhe dixhitale, kujdesin e fëmijëve dhe integrimin e refugjatëve”, shkruan Fondi. FMN rekomandoi gjithashtu reforma në pensione.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.