FMN rekomandon rritje taksash – Rikthimin e taksës së biznesit, tatimin e pagës minimale, indeksimin e taksave
Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar qeverisë shqiptare gjatë diskutimeve që ka pasur së fundmi, vendosjen e disa taksave të reja, në mënyrë që të përmirësohen të ardhurat e qeverisë. Këto masa shihen si të domosdoshme nga fondi në një kohë që hapi i konsolidimit fiskal është ngadalësuar dhe ku nuk ka hapësira për të kursyer me shpenzimet.
Së pari, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar qeverisë shqiptare që të indeksojë akcizën në disa produkte dhe disa prej taksave kombëtare, si psh, taksa e qarkullimit, ajo e regjistrimit, taksa e karbonit, etj. Në rast se, qeveria do ta ndjekë këshillën e FMN, atëherë këto taksa do të pësojnë një rritje çdo vit, po aq sa norma e inflacionit.
Së dyti, FMN rekomandon zgjerimin e bazës së produkteve që përfshihen në TVSH, si arsimi. Së treti, rikthimin e taksës së fitimit të biznesit të vogël. Një tjetër rekomandim, është ai i taksimit të të gjitha pagave, madje edhe pagën minimale. Limiti është aktualisht deri në 30 mijë lekë pagë mujore. Në rast se do të pranohet ky propozim, atëherë limiti do të zbresë deri në 24 mijë lekë, çka do të thotë se nuk do të ketë asnjë përjashtim.
Së fundi, Fondi Monetar Ndërkombëtar i propozon qeverisë shqiptare vendosjen e taksave të reja sidomos në formën e akcizës, në drejtim të ambientit dhe çështjeve që lidhen me shëndetësinë. Nuk është e thënë që qeveria shqiptare t`i zbatojë të gjitha këto rekomandime, apo qoftë edhe një të vetëm prej tyre. FMN ka vetëm një rol monitorues.
Por, qoftë një prej këtyre rekomandimeve përkthehet në kosto mjaft të larta për shqiptarët. Sipas FMN, të gjitha këto masa shtesë, që më shumë duken si masa shtrënguese përkthehen në 0.78% të PBB për 2019, ku peshën më të madhe, me 0.36% të Prodhimit të Brendshëm Bruto e zë tatimi mbi pagën. Në total përkthehen në 11 miliardë lekë, ose 86 milionë euro. 40 milionë euro nga kjo shumë, ose rreth 4.6 miliardë lekë, projektohet të vijnë vetëm nga përfshirja në tatim e të gjitha pagave, edhe të asaj minimale.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.