FMN shkurton projeksionet për 2021 – Georgieva: Rreziqe nga borxhi, inflacioni dhe vaksinimi i pabarabartë

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që rritja ekonomike botërore në vitin 2021 të bjerë poshtë projeksioneve të Korrikut prej 6%, sipas shefes Kristalina Georgieva, që përmendi rreziqe të lidhura me borxhin, inflacionin dhe tendencat e ndryshme të rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia. Georgieva tha se ekonomia botërore po rimëkëmbet por pandemia vazhdon të limitojë rritjen, me pengesën kryesore që është “ndasia e madhe e vaksinimit”, që ka lënë shumë vende me pak akses tek dozat.
Georgieva tha se raporti i javës që vjen mbi Perspektivën Ekonomike Botërore, do parashikojë që ekonomitë e zhvilluara do rikthehen në nivelet e para pandemisë deri në vitin 2022, por ato në zhvillim do të duan shumë më shumë vite për t’u rimëkëmbur. Sipas saj, Shtetet e Bashkuara dhe Kina do qëndrojnë motorrë të rritjes ekonomike dhe Europa po tregon gjithashtu përmirësim të vrullit, por pjesa tjetër e botës po përkeqësohet.
Presionet inflacioniste, një faktor kryesor i rrezikut, pritet të tërhiqëen në shumicën e vendeve në vitin 2022, por do vazhdojnë të ndikojnë disa vende në zhvillim. Rritja e vazhdueshme në pritshmëritë e inflacionit mund të shkaktojë një rritje të shpejtë të normave të interesit dhe kushte të tkurrura financiare. Georgieva tha sa bankat botërore mund të shmangin tkurrjen monetare për momentin, por duhet të përgatiten të veprojnë nëse rimëkëmbja ekonomike është më e fortë se sa pritej, apo rreziqet e inflacionit materializohen. Nivelet botërore të borxhit, tashmë në 100% të PBB, nënkuptojnë se disa vende në zhvillim kanë aftësi të limituar për të marrë hua të re në kushte të favorshme.
Georgieva i bëri thirrje vendeve të pasura që të rrisin dërgesat e vaksinave të Covid-19 për vendet në zhvillim, të heqin kufizimet tregtare dhe të mbyllin një hendek prej 20 miliardë dollarë në financim të granteve që duhen për testim, gjurmim dhe terapi të Covid-19.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.