FMN skanon ekonominë – Ka stabilitet, vitin e ardhshëm “kërcen” rritja, rrezik nga plakja dhe emigrimi
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë publik raportin e dytë të programit të post monitorimit për vendin tonë, ku sqaron se, ekonomia shqiptare është e aftë të paguajë detyrimet ndaj fondit, si rrjedhojë e stabilitetit makroekonomik, si dhe progresit me reformat. Sa i përket rritjes ekonomike, FMN thotë se, këtë vit do të ngadalësohet në 3.5%, ashtu siç projektonte edhe në raportin e kaluar, atë të fillim-majit. Ngadalësimi do të vijë si pasojë e efektit të prodhimit energjetik por edhe ngadalësimit të partnerëve kryesorë ekonomik të vendit. Vitin e ardhshëm, Prodhimi i Brendshëm Bruto projektohet të rritet me një normë në 4%, si pasojë e pritshmërive për eurozonën, rritjes së tregut të punës, fuqizimit të eksporteve, përfshirë turizmin, si dhe nevoja për investime.
Institucioni me bazë në Washington radhit edhe disa prej rreziqeve kryesore që i kanosen ekonomisë së vendit, e për rrjedhojë edhe financave publike. Këto rreziqe janë të jashtme, kryesisht si rrjedhojë e ngadalësimit të partnerëve kryesorë, si dhe të brendshëm, ndër rreziqet e brendshme, FMN nënvizon ndjeshmërinë ndaj thatësirës, popullsinë në plakje, apo edhe largimin nga vendi të punëtorëve të kualifikuar. Edhe menaxhimi i financave publike, kryesisht skemat e Partneritetit Publik Privat nuk mungojnë në listën e paralajmërimeve të FMN, së bashku me Korporatën Shqiptare të Investimeve. Rezervat ndaj krijimit të kësaj agjencie FMN i ka shprehur edhe më parë. Duke i`u trembur rolit që mund të marrë ministria e financave.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.