FMN do të rishikojë parashikimin e rritjes ekonomike të Kosovës për 2017
Fondi Monetar Ndërkombëtar do të rishikojë parashikimin e tij të rritjes ekonomike të Kosovës për 2017 por e konsideron ende të paqëndrueshëm modelin e saj. Kështu është shprehur përfaqësuesi I FMN-së Ruud Vermeulen.
Kosova, një nga vendet më të varfra të Europës, ka parë rritje ekonomike mesatare vjetore prej 3.4 për qind gjatë dekadës së fundit, por korrupsioni i përhapur, krimi I organizuar dhe tensionet politike kanë penguar investitorët e huaj.
Papunësia mbetet rreth 30 për qind dhe papunësia e të rinjve rreth 50 për qind.
“Ne jemi tani në procesin e rishikimit të parashikimeve tona”, tha Vermeulen në një intervistë për Reuters.
“Ne parashikuam të kemi rritje 3.5 për qind për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, por fakti është se statistikat zyrtare tregojnë se ekonomia po rritet 4.3 për qind gjatë gjysmës së parë të vitit 2017.”
Megjithatë, ai tha se ekonomia e Kosovës, e cila ka një popullsi prej 1.8 milionë banorësh, ka nevojë për reforma strukturore:
“Rritja është e lartë, por mbështetet në një model të paqëndrueshëm, të nxitur nga konsumi dhe investimet në sektorët e patregtueshëm të financuara kryesisht nga remitancat, me papunësi të lartë dhe me një aktivitet të ulët “.
Remitancat nga rreth 800,000 kosovarë që jetojnë jashtë vendit përbëjnë rreth 13 për qind të prodhimit kombëtar. FMN në korrik nuk arriti të përfundojë një shqyrtim përfundimtar të një marrëveshje huazimi prej 184 milionë eurosh me Kosovën, duke ngrirë fondet e mbetura me vlerë rreth 15 milionë euro.
Megjithatë, Vermeulen tha se ekonomia ishte “në një formë shumë më të mirë” se në vitin 2015, kur marrëveshja e fundit e gatishmërisë u arrit dhe FMN ishte gati të negocionte një program tjetër me qeverinë që u zgjodh këtë vit.
Borxhi publik i Kosovës është më i ulëti në rajon rreth 17 për qind të PBB-së. “Ne nuk kemi marrë një kërkesë për një program tjetër, por ne jemi gati për një program të ri”, tha Vermeulen.
“Ne jemi këtu për të mbështetur Kosovën në çfarëdo mënyre që mundemi, brenda mandatit tonë”.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.