FMN ul projeksionet për botën – Në 3.7% këtë vit edhe tjetrin, ndikon tregtia dhe tkurrja monetare
Fondi Monetar Ndërkombëtar uli projeksionet për rritjen ekonomike globale në këtë vit edhe tjetrin, ndërkohë që vendosja e tarifave në importe po godet tregtinë dhe tregjet në zhvillim po hasin vështirësi nga tkurrja e kushteve financiare dhe flukset dalës të kapitalit.
Parashikimet e reja tregojnë se vrulli ekonomik i nxitur nga reduktimet tatimore në SHBA dhe rritja e kërkesës për importe, po fillon të zbehet.
Në raportin Perspektiva Ekonomike Botërore, Fondi projekton tashmë një rritje me 3.7% në këtë vit edhe tjetrin, në rënie nga 3.9% që priste më parë.
Zhvlerësimi reflekton shumë faktorë, përfshirë tarifat mes Kinës dhe SHBA, performancës së dobët të vendeve të Eurozonës si dhe rritja e normave të interesit që po nxjerrin kapitalin nga tregjet në zhvillim, kryesisht nga Argjentina, Brazili, Turqia dhe Afrika e Jugut.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e luftës tregtare do të ndihet në vitin e ardhshëm, fondi uli projeksionet për ekonominë amerikane për 2019-ën në 2.5% nga 2.7%, ndërsa për Kinën, në 6.2% nga 6.4%.
Për vitin 2018, normën e rritjes ekonomike e la të pandryshuar për të dy vendet, në 2.9% dhe 6.6% në mënyrë respektive.
Projeksionet për Eurozonën u shkurtuan në 2% nga 2.2%, ndërkohë që Gjermania do të goditet nga rënia e porosive industriale dhe volumi i tregtisë.
Për vendet e pasura me energji, Fondi theksoi se do të kenë performancë më të mirë prej rritjes së çmimeve të naftës, ndërkohë që rriti projeksionet për Arabinë Saudite dhe Rusinë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.