FMN vlerëson rolin mbikëqyrës të AMF-së gjatë pandemisë
Sipas njoftimit tw publikuar impakti i pandemisë COVID-19 në tregjet nën mbikëqyrje dhe masat e marra nga Autoriteti ishin në qendër të takimit virtual mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së, Ervin Mete dhe Drejtueses së Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Yan Sun.
Mete u shpreh se në përgjithësi tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit i rezistuan efekteve të pandemisë, megjithatë AMF po ushtron një monitorim të kujdesshëm për shkak të pasojave vazhduese.
Sipas njoftimit Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv e njohu Drejtuesen e Misionit të FMN-së për Shqipërinë me masat konkrete të Autoritetit në funksion të garantimit të qëndrueshmërisë së tregjeve dhe përshtatjes së planeve të vazhdimësisë së biznesit dhe e informoi Yan Sun në lidhje me procesin e trajtimit dhe pagesave të dëmeve të tërmeteve të vitit të kaluar nga shoqëritë e sigurimit.
Duke pasqyruar ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, Mete deklaroi se tregu i sigurimeve ka pasur një trend pozitiv rikuperimi. Tregu i fondeve të investimeve dhe pensioneve private vullnetare paraqitet i qëndrueshëm.
“Në takim u diskutua edhe për zhvillimet makroekonomike në vend dhe ndikimet e mundshme në tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit. Në terma më të gjerë, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së dhe Drejtuesja e Misionit të FMN-së biseduan për masat e mundshme të menaxhimit të rrezikut nga ngjarjet e jashtëzakonshme dhe situatat e krizave,” shkruhet nw njoftim.
Nga ana e saj, Yan Sun vlerësoi rolin mbikëqyrës të Autoritetit në këtë periudhë të vështirë për tregjet financiare, si edhe shprehu gatishmërinë për të asistuar në vijimësi Autoritetin përmes ekspertizës teknike ndërkombëtare.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.