FMN zhvlerëson Shqipërinë – Ul projeksionet e rritjes ekonomike, pesimizëm edhe për borxhin
Fondi Monetar Ndërkombëtar është i fundit në serinë e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që ka rishikuar në rënie ekonominë shqiptare.
Në raportin e fundit të perspektivës rajonale të Europës, të publikuar zyrtarisht ditën e hënë, FMN, ka ulur ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë për vitin e ardhshëm dhe për vitin 2019, ndërkohë që për vitin aktual, projeksionet mbeten të pandryshuara, në 3.7% rritje.
Për vitin e ardhshëm ndërkohë, projeksionet janë shkurtuar po në 3.7%, nga 4.1% që vlerësohej në raportin e kaluar, atë të muajit Prill. Ndërkohë, për vitin 2019, flet për 3.8% rritje, një zhvlerësim me 0.3 pikë përqindje i projeksioneve.
Në territor negativ nuk janë rishikuar vetëm projeksionet e rritjes ekonomike, pro edhe ato të borxhit, investimeve apo kërkesës së brendshme.
Në thuajse të gjithë indikatorët makro-ekonomikë, Fondi Monetar Ndërkombëtar është më pesimist sot, sesa 6 muaj më parë, çka ka gjeneruar edhe zhvlerësimin e përgjithshëm të ecurisë së ekonomisë shqiptare në dy vitet e ardhshme.
Një ndër indikatorët më shqetësues mbetet padiskutim ai i borxhit publik, ku FMN thekson se, rënia nuk do të jetë aq e madhe sa mendohej 6 muaj më parë.
Në prill projektohej që për këtë vit borxhi të binte në 68.6%, ndërkohë që në raportin e ri projektohet në 70.8%, pra mbi normën e 70%.
Për dy vitet e ardhshme ndërkohë, projeksionet e borxhit janë rishikuar në rritje me thuajse 4 pikë përqindje për secilin vit.
I vetmi indikator makro-ekonomik i rishikuar pozitivisht nga FMN është ai i normës së papunësisë, ku doza e optimizmit është rritur lehtë në krahasim me prillin e po këtij viti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.