Fond për praktikën profesionale – Kryeministri kërkon mbështetje nga bizneset

Qeveria po i jep prioritet arsimit profesional jo vetëm në fushata promovuese apo rregullim të kuadrit ligjor, por edhe në mbështetje me financime.
Për këtë vit, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, ka parashikuar një fond prej prej 18 milionë lekësh që do të përdoret për trajtimin e të rinjve në praktika profesionale sipas VKM nr.873, ku pritet të trajnohen në total rreth 550 të rinj.
Kjo shumë është shkëputur nga fondi për nxitjen e punësimit prej 490 milion lekësh që do të disbursohet këtë vit për bizneset që plotësojnë kriteret për të përfituar.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama theksoi se shkak për papunësinë është fakti se ende ka një raport të lartë midis të rinjve që kanë një diplomë universitare dhe atyre që ndjekin arsimin profesional, megjithëse reforma po ecën në rrugë të mbarë.
Duke qenë se fondet e vëna në dispozicion nga qeveria nuk përmbushin plotësisht nevojat për trajnime, Rama kërkoi bashkëpunimin e sipërmarrjeve që të paguajnë nxënësit për praktikat profesionale.
Në vitin 2016, 27 mijë nxënës, janë regjistruar në shkollat profesionale në vend, një numër ky në rritje nga viti në vit, duke treguar interesin e lartë të të rinjve për të marrë një zanat, në përputhje edhe me kërkesat që ka sot tregu i punës.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.