Fondet e investimeve – AMF, strukturë të re për monitorimin e tregut

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pritet që të ketë një strukturë të re që do të jetë pasqyrim i rekomandimeve të bëra nga konsulenti dhe Banka Botërore lidhur me fondet e investimeve. Në një dokument zyrtar të bankës jepen edhe detajet mbi projektin i cili shtrihet në disa faza.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është duke rishikuar planin vjetor të punës për të inkorporuar në mënyrë më të mirë veprimet e rekomanduara nga projekti. Pritet që ky autoritet në periudhën qershor-korrik 2017 të adoptojë një strukturë të re në linjë me rekomandimet. Ndërkohë që po punësohet staf i ri dhe po përmirësohet skema e shpërblimit” thuhet në raport.
Nga ana tjetër ka vijuar faza e dytë e asistencës që lidhet me rishikimin, zhvillimi dhe kuadrin mbikqyrës për Fondet e Investimit dhe obligacionet. Nënshkimi i saj u bë në janar dhe është rënë dakord për një plan pune me afat zbatimi prej 20 muajsh. Konsulenti i i dorëzoi në prill Autoritetit produktin e parë që është një raport vlerësimi për legjislacionin që lidhet me fondet e investimit dhe obligacionet.
Paketa e tretë edhe kjo e nënshkruar në shkurt synon që të rrisë kapacitetet e AMF duke i mundësuar stafit bashkëpunime me institucione të ngjashme për të përfituar nga eksperienca e tyre ndëkrohë që do të ketë edhe trajnime të vazhdueshme. Së fundmi ka një vëmendje të veçantë drejt tregut të fondeve sa i përket mbikëqyrjes.
Në fund të marsit vlera neto e aseteve të fondeve arriti 70.8 miliardë lekë me një rritje prej 5.4 miliardë lekë krahasuar me fundin e 2016. Në treg ushtrojnë aktivitetin tre fonde investimi, përkatësisht fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro” të cilat administrohen nga shoqëria “Raiffeisen Invest”dhe fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.