Fondet e investimit – Bien te Raiffeisen, rritet Credins Premium
Asetet e fondeve të investimit kanë rënë për të dytin tremujor radhazi. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vlera e aseteve neto në fund të qershorit ishte 66.5 miliardë lekë, në rënie me 8.6% që nga fillimi i vitit. Tregu po pëson rënie jo vetëm në volume, por edhe në numër anëtarësh.
Në fund të qershorit, numri i anëtarëve ra në rreth 29 mijë, nga 31 mijë që ishte në fund të vitit të kaluar. Rënia e tregut i detyrohet një tendence reduktimi të përmasave të dy fondeve më të ëmdha, që menaxhohen nga Raiffeisen Invest.
Fondi në lekë, Raiffeisen Prestigj pësoi rënie të aseteve neto me 7.7%, ndërsa fondi në euro Raiffeisen Invest ra akoma më shumë me 15.6%. Përkundrazi, në rritje të ndjeshme është fondi i investimeve Credins Premium me 44% që nga fillimi i vitit, megjithëse kjo rritje ka ardhur nga një bazë e ulët.
Asetet e Credins Premium kanë kaluar pragun e 10 milionë eurove. Këtë vit ka nisur aktivitetin edhe fondi i investimeve Top Invest, por pjesa e tregut të fondit më të ri për momentin është e papërfillshme.
Pas një rritje të shpejtë në vitet e parë, fondet e investimit kanë hyrë në një fazë stanjacioni, të lidhur edhe me alternativat e kufizuara të investimit, të paktën për sa i takon mjeteve në lekë.
Këto fonde investojnë kryesisht në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare. Tregu ka nevojë për instrumente të reja dhe potencialet janë të mëdha, sidomos për obligacionet e korporatave, që prej vitesh emetohen me ofertë private.
Por, kufizimet rregullatore për momentin nuk i lejojnë fondet të investojnë në obligacionet e kompanive shqiptare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.