Fondet e investimit i kthehen rritjes në tremujorin e parë 2017
Tregu i fondeve të investimit iu rikthye rritjes në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, totali i aktiveve në fund të vitit arriti në 70.8 miliardë lekë, rreth 8.3% më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Rritja e tregut gjatë tremujorit të parë ishte e shpërndarë mes instrumenteve të ndryshme, por një rritje të konsiderueshme regjistruan investimet në obligacionet e shoqërive tregtare.
Ky instrument investimi është i lidhur kryesisht me investimet në euro jashtë vendit, në kushtet kur tregu i brendshëm nuk ofron shumë alternativa të investimit financiar në valutë.
Për shkak se interesat e depozitave janë pothuajse 0, shumë investitorë kanë kërkuar kthime më të kënaqshme përmes fondit të investimeve në euro që adminsitrohet nga shoqëria Raiffeisen Invest.
Ndërkohë, obligacionet e qeverisë shqiptare, që kanë qenë historikisht insturmenti kryesor për fondet shqiptare të investimit, në tremujorin e parë të këtij viti regjistroi një rritje modeste.
Në fund të muajit mars, numri i individëve të anëtarësuar në fondet e investimit arriti në mbi 31 mijë, në rritje me 6.7% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Aktualisht, në tregun e fondeve të investimit veprojnë tre subjekte, Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Invest dhe Credins Premium.
Duke filluar nga vitit 2015, ritmet e rritjes të fondeve të investimit paraqiten më të kufizuara dhe kjo lidhet, pjesërisht, edhe me forcimin e kuadrit mbikëqyrës për këto institucione nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.