Fondet e investimit, tregu ra me 2.3% për vitin e kaluar
Tregu i fondeve të investimit pësoi një frenim të lehtë gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, totali i aktiveve në fund të vitit zbriti në 65 miliardë lekë, rreth 2.3% më pak krahasuar me fundin e vitit 2015.
Rënia e tregut erdhi sidomos nga reduktimi i investimeve të brendshme në bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare, që, gjithsesi, ende vijojnë të përbëjnë pjesën dërrmuese të aseteve të tregut.
Ndërkohë, një tendencë në rritje të ndjeshme regjistruan investimet në obligacione jashtë vendit dhe sidomos në obligacione të shoqërive tregtare. Kjo lidhet me nevojën e investitorëve për të gjetur alternativa më fitimprurëse të fondeve në euro, në kushtet kur normat nominale të interesit kanë qenë në kufijtë e zeros.
Duke filluar nga vitit 2015, ritmet e rritjes të fondeve të investimit paraqiten më të kufizuara dhe kjo lidhet, pjesërisht, edhe me forcimin e kuadrit mbikëqyrës për këto institucione nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Vendosja e kërkesave specifike për parametrat e likuiditetit të fondeve ka bërë që rritja të jetë më e kontrolluar. Në fund të vitit të kaluar, numri i individëve të anëtarësuar në fondet e investimit ishte 29 mijë, në rënie me afro 9% krahasuar me një vit më parë.
Rënia e numrit të anëtarëve mund të ketë rënë për shkak të uljes së kthimit nga investimi. Siç dihet, interesat e instrumenteve financiarë vitin e kaluar zbritën në nivelet më të ulëta historike, çka duket se i ka bërë më pak tërheqës për publikun fondet e investimit.
Aktualisht, në tregun e fondeve të investimit veprojnë tre subjekte, Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Invest dhe Credins Premium.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.