Fondet e investimit – Tregu u rrit me 11.1% në vitin 2017
Tregu i fondeve të investimit e mbylli me rritje vitin 2017. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, totali i aktiveve në fund të vitit arriti në 72.7 miliardë lekë, 11.1% më shumë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Megjithëse tregu e pësoi një frenim në tremujorin e fundit, bilanci vjetor sërish u mbyll me rritje dhe fondet e investimit po afirmohen gjithnjë e më shumë si segmenti më i rëndësishëm në tregun financiar jo bankar.
Vitin e kaluar, fondet e investimit numëronin mbi 31 mijë anëtarë, në rritje me afro 7% që nga fillimi i vitit. Instrumenti kryesor i investimit, veçanërisht për fondet në lekë, ngelen letrat e borxhit qeveritar afatgjatë.
Sipas AMF, obligacionet qeveritare përbëjnë mbi 60% të aseteve të fondeve, ndërsa afro 18% janë bono thesari. Megjithatë, një rritje të konsiderueshme po regjistrojnë investimet në obligacionet e shoqërive tregtare, që kanë arritur në 3.8 miliardë lekë ose rreth 28 milionë euro.
Ky instrument është i lidhur kryesisht me investimet në euro jashtë vendit, në kushtet kur tregu i brendshëm nuk ofron shumë alternativa të investimit financiar në valutë. Edhe falë profilit të investimeve me rrezik të ulët, fondet e investimit ngelen në vazhdimësi aktivitet fitimprurës.
Fitimi nga investimet në total për tregun arriti në mbi 2 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar. Aktualisht, në tregun e fondeve të investimit veprojnë tre subjekte, “Raiffeisen Prestigj”, “Raiffeisen Invest” dhe “Credins Premium”.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.