Fondet globale të obligacioneve shënojnë daljen më të madhe javore në më shumë se tre muaj!

Investitorët globalë ulën masivisht pozicionet e tyre në fondet e obligacioneve dhe kapitalit në javën e mbyllur më 18 maj për shqetësimet e inflacionit dhe se rritja e normave të interesit do të çojë në recesion. Sipas Refinitiv Lipper, investitorët dolën nga fondet globale të obligacioneve me vlerë neto 18.57 miliardë dollarë, duke shënuar daljen më të madhe javore që nga 16 shkurti.
Pritjet për norma më të larta interesi pasojnë komentet e kryetarit të Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell këtë javë, se banka qendrore do të “vazhdojë të shtyjë” për të shtrënguar politikën monetare të SHBA derisa të bëhet e qartë se inflacioni është në rënie.
Inflacioni britanik arriti në prill normën e tij më të lartë vjetore që nga viti 1982, ndërsa Kanadaja raportoi një kërcim më të lartë se sa pritej. Fondet e obligacioneve amerikane dhe europiane dëshmuan shitje neto me vlerë 8.41 miliardë dhe 8.14 miliardë dollarë respektivisht, ndërsa fondet aziatike tërhoqën hyrje të vogla prej 0.06 miliardë dollarësh.
Fondet globale të obligacioneve afatshkurtra dhe afatmesme panë shitjen neto të javës së nëntëmbëdhjetë pasardhëse, në vlerë prej 4.62 miliardë dollarësh, dhe fondet me rendiment të lartë patën dalje prej 5.17 miliardë dollarësh.
Megjithatë, fondet e obligacioneve të qeverisë mbetën në kërkesë pasi joshën 5.45 miliardë dollarë në javën e tretë radhazi të blerjes neto. Shitja në fondet globale të kapitalit vazhdoi për javën e gjashtë radhazi, megjithëse daljet në 6.26 miliardë dollarë ishin rreth 54% më të ulëta se javën e kaluar.
Ndër fondet e sektorit, financat dhe diskrecioni i konsumatorit humbën përkatësisht 2.07 miliardë dhe 0.84 miliardë dollarë në dalje, por shërbimet komunale dhe kujdesi shëndetësor fituan 1.12 miliardë dhe 0.81 miliardë dollarë hyrje. Investitorët disponuan gjithashtu fonde të tregut të parasë me vlerë 7.62 miliardë dollarë në javën e tretë radhazi të shitjes neto.
Të dhënat për fondet e mallrave treguan se investitorët hodhën fondet e metaleve të çmuara me vlerë 1.57 miliardë dollarë në shitjen e tyre më të madhe neto javore në 14 muaj, ndërsa fondet e energjisë panë dalje prej 249 milionë dollarësh.
Një analizë e 24,262 fondeve të tregjeve në zhvillim tregoi se investitorët shitën fonde të kapitalit prej 1.38 miliardë dollarësh dhe fonde obligacionesh prej 4.36 miliardë dollarësh, duke shënuar daljen e gjashtë javore me radhë.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.