Fondet për transportin, pagesat që do të marrin mësuesit dhe nxënësit. Llogaritja e shpenzimeve, procedura për shpërndarjen e pagesave

Miratohen ndryshimet për përdorimin e fondeve publike për transferimin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit.
“Në rastet kur njësitë arsimore vendore nuk realizojnë me sukses procedurat e prokurimit publik të shërbimit të transportit të punonjësve arsimorë dhe nxënësve, të parashikuar në këtë vendim, njësitë arsimore vendore realizojnë mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e transportit të mësuesve, nxënësve e fëmijëve përfitues drejtpërdrejt, nëpërmjet llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë, të përfituesve ose prindërve të nxënësve apo nëpërmjet shërbimit postar, për ato rrethe/zona ku shërbimi bankar mungon apo është jo lehtësisht i aksesueshëm”, thuhet në vendim e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave.
Masa e shpenzimeve përllogaritet mbi bazën e numrit të ditëve mësimore, numrit të nxënësve dhe mësuesve që kanë ndjekur mësimin, çmimit mesatar të biletës për linjat ndërqytetase apo rrethqytetase të shërbimit të transportit, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar, indeksimit të çmimeve të shërbimit të transportit, të botuara çdo vit nga INSTAT-i, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
Qeveria ka ngarkuar Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë arsimore vendore për zbatimin e këtij vendimi, i cili pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.