Forcimi i dollarit rrëzon naftën / Humbjet kufizohen nga rënia e rezervave në SHBA javën e kaluar

Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm dhe po gjendet nën presion nga forcimi i dollarit amerikan. Megjithatë, humbjet po kufizohen nga rënia e rezervave gjatë javës së kaluar në SHBA, që është konsumatori më i madh i naftës në botë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73.5 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar preku nivelin më të lartë që nga prilli i vitit 2019. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71.5 dollarë për fuçi, pasi preku nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2018 një ditë më parë. Dollari amerikan publikoi fitimet më të mëdha ditore në 15 muajt e fundit, pasi Rezerva Federale sinjalizoi se mund të rrisë normat e interesit me një hap më të shpejtë se parashikimet. Një dollar më i fortë i bën lëndët e para që tregtohet në monedhën e gjelbër më të shtrenjta për zotëruesit e monedhave të tjera. Gjithsesi, humbjet po kufizohen nga të dhënat e Administratës për Informimin mbi Energjinë në SHBA, që treguan se rezervat e naftës ranë më shpejt se parashikimet e analistëve gjatë javës së kaluar, pasi rafineritë punuan me kapacitetin më të lartë që nga janari i vitit 2020. Gjithashtu, prodhimi nga rafineritë në Kinë, që është konsumatori i dytë më i madh në botë i naftës, u rrit me 4.4% gjatë majit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.